Fluturimi i parë provë i një makine fluturuese të zhvilluar nga kompania japoneze SkyDrive Inc. u zhvillua të martën, në Tokio, njoftoi prodhuesi i saj.
Gjatë fluturimit demonstrues, mjeti pa pilot udhëtoi rreth 150 metra mbi gjirin e kryeqytetit japonez dhe qëndroi në ajër për rreth 3.5 minuta.
Makina fluturuese SD-05 është e pajisur me bateri dhe 12 motorë me helikë me tehe të ngjashme me ato që gjenden në kuadrokopterë.
Ky automjet mund të transportojë deri në tre persona dhe të përshkojë një distancë deri në 40 kilometra.
Falë madhësisë së tij, SD-05 me telekomandë mund të ulet në vende ku një helikopter nuk mundet.
Sipas drejtorit ekzekutiv të SkyDrive, Tomohiro Fukuzawa, kostoja e një fluturimi mund të jetë rreth dyfishi i kostos së një taksie dhe koha e udhëtimit mund të jetë katër deri në pesë herë më e shkurtër.
Fluturimet demonstruese do të vazhdojnë deri të shtunën e ardhshme. Gjithashtu u përurua një terminal, ku operatorët e makinave fluturuese do të kontrollojnë dhe monitorojnë ngritjet dhe uljet, dhe pasagjerët do të kalojnë nëpër kontrollet e sigurisë dhe regjistrimin. Stacioni ka një sistem automatik regjistrimi të bazuar në njohjen e fytyrës.
Startupi japonez aspiron të fillojë fluturimet komerciale të makinës fluturuese në vitin 2028 në rajone të ndryshme të Japonisë.



