Qeveria e re e Danimarkës, e udhëhequr nga kryeministrja Mette Frederiksen, ka shpallur prioritetet kryesore të mandatit të saj të tretë, duke vënë theksin te ulja e kostos së jetesës dhe mbrojtja e sovranitetit të Groenlandës përballë presioneve amerikane.
Koalicioni i ri i pakicës, i përbërë nga katër parti të qendrës së majtë, u formua pas dy muajsh negociatash të vështira pas zgjedhjeve të marsit. Frederiksen deklaroi se qeveria synon të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve përmes masave konkrete ekonomike.
Programi parashikon përgjysmimin e TVSH-së për produktet ushqimore, heqjen e saj për frutat dhe perimet, transport publik falas për të rinjtë nën 22 vjeç dhe rritje të pensioneve për shtresat më të prekura. Gjithashtu, qeveria ka premtuar vendosjen graduale të kujdesit dentar falas për qytetarët gjatë dekadës së ardhshme.
Në politikën e jashtme, ekzekutivi danez ka riafirmuar mbështetjen për sovranitetin e Groenlandës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ndryshimin e statusit të territorit autonom. Paralelisht, Danimarka planifikon të forcojë kapacitetet e saj ushtarake në kuadër të sfidave të reja të sigurisë në Evropë.
Frederiksen konfirmoi gjithashtu vazhdimin e politikës së ashpër ndaj emigracionit, përfshirë dëbimin e shtetasve të huaj që kryejnë krime dhe përpjekjet për ngritjen e qendrave të pritjes së azilkërkuesve jashtë Bashkimit Evropian.
Ndër prioritetet e qeverisë janë edhe reforma në industrinë e mbarështimit të derrave, me masa për përmirësimin e mirëqenies së kafshëve dhe ristrukturimin e sektorit pas kritikave të forta publike.



