Zyrtarja e lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Irani mund të përbëjë një kërcënim më të madh nëse në negociatat për një marrëveshje të re nuk përfshihen ekspertë bërthamorë.
Duke folur gjatë një takimi të liderëve të BE-së në Qipro, ajo tha se çdo marrëveshje e ardhshme rrezikon të jetë më e dobët se Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) i vitit 2015, nga i cili Shtetet e Bashkuara u tërhoqën gjatë administratës së Donald Trump.
Sipas saj, JCPOA kishte parashikuar kufizimin e programit bërthamor iranian dhe lejimin e inspektimeve ndërkombëtare në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike nga OKB-ja, BE-ja dhe SHBA-ja.
Kallas theksoi se përqendrimi vetëm te çështja bërthamore, pa ekspertizë teknike në tryezë, do të çonte në një marrëveshje më të dobët.
Ajo shtoi gjithashtu se mosadresimi i çështjeve të tjera si programi i raketave, aktivitetet rajonale, si dhe sulmet hibride dhe kibernetike, mund ta bëjë Iranin edhe më të rrezikshëm në të ardhmen.



