FBI-ja ka nisur një hetim pas një sulmi të pretenduar kibernetik, në të cilin grupi i hakerëve ShinyHunters thotë se ka vjedhur të dhënat personale të mijëra agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit.
Sipas CNN, grupi pretendon se ka siguruar të dhëna duke nisur nga mbrëmja e së hënës, ndërsa FBI-ja konfirmoi se është në dijeni të aktivitetit të paautorizuar që ka prekur FBIjobs.gov, faqen e aplikimeve për punësim në Byro. Portali i aplikimeve për agjentë specialë ishte jashtë funksionit gjatë së martës.
ShinyHunters pretendon se ka marrë të dhëna për pothuajse të gjithë agjentët e FBI-së, si dhe për persona që kanë aplikuar për një vend pune në Byro. Grupi ka publikuar një mostër të të dhënave që pretendon se ka vjedhur.
Sipas Reuters, mostra përfshinte emra, adresa banimi, detaje mbi detyrat e agjentëve dhe, në disa raste, të dhëna për familjarët e tyre. Reuters arriti të verifikojë pjesërisht disa prej informacioneve, por nuk ka mundur të përcaktojë nëse të dhënat janë marrë vërtet nga sistemet e brendshme të FBI-së.
Sulmi dyshohet se lidhet me një konflikt të drejtpërdrejtë mes grupit dhe FBI-së. Në maj, Byroja publikoi një njoftim ku analizonte metodat e ShinyHunters dhe paralajmëronte organizatat e prekura që të mos paguanin hakerët. Grupi pretendon se sulmi ndaj FBI-së ishte një kundërpërgjigje ndaj këtij njoftimi.



