Ish-kryeministri spanjoll Jose Luis Rodriguez Zapatero dhe bashkëshortja e tij, Sonsoles Espinosa, janë vënë në qendër të një hetimi nga Gjykata Kombëtare e Spanjës.
Sipas gjykatësit Jose Luis Calama, në llogarinë e tyre të përbashkët bankare kanë hyrë rreth 1.5 milion euro gjatë viteve 2020-2025 përmes transfertave nga kompani dhe persona të lidhur me “rastin Plus Ultra”.
Hetimi pretendon se një pjesë e pagesave janë bërë nga kompani që ofronin shërbime konsulence, analiza strategjike dhe organizim konferencash ndërkombëtare.
Vetëm nga një kompani në pronësi të Julio Martinez Martinez, mik i afërt i Zapateros dhe gjithashtu nën hetim, dyshohet se janë transferuar afro 490 mijë euro.
Për këtë arsye, gjykatësi ka urdhëruar ngrirjen e një shume të ngjashme në llogaritë e ish-kryeministrit.
Dokumentet e hetimit përmendin edhe qindra mijëra euro të tjera të ardhura nga kompani si Thinking Heads Group dhe The Global Analysis & Trends In Emerging Regions.
Sipas autoriteteve, një pjesë e fondeve mund të jenë përdorur për blerje pasurish të paluajtshme, pagesa kredish dhe transferta në llogari familjare.
Gjykatësi dyshon se ekzistonte një rrjet i organizuar ndikimi që kishte si qëllim ndërmjetësimin pranë institucioneve publike për të favorizuar kompani të caktuara, kryesisht linjën ajrore Plus Ultra Lineas Aereas.
Kjo kompani mori 53 milionë euro ndihmë shtetërore në vitin 2021 përmes fondit spanjoll të krijuar për të mbështetur bizneset gjatë pandemisë Covid-19.
Hetuesit po analizojnë nëse janë përdorur kompani fiktive, dokumente të falsifikuara dhe kanale të errëta financiare për të fshehur origjinën dhe destinacionin e parave.
Nga ana tjetër, Zapatero ka mohuar kategorikisht çdo parregullsi dhe ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol në procedurat shtetërore që lidhen me shpëtimin financiar të Plus Ultra.



