Të paktën pesë shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në Kiev, ku autoritetet ngritën alarmin për një sulm me raketa ruse.
Sirenat e sulmit ajror filluan të binin disa minuta pas shpërthimit të parë.
"Armiku po sulmon kryeqytetin me raketa. Qëndroni në vende të sigurta!", shkroi Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, në Telegram.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, deklaroi gjithashtu në Telegram se gjashtë persona u plagosën në sulm, tre prej të cilëve u shtruan në spital.
Që nga qershori, Kievi ka qenë cak i sulmeve masive, të kryera me një numër gjithnjë e në rritje raketash, veçanërisht raketa balistike, të cilat janë më të shpejta dhe më të vështira për t'u kapur. Tridhjetë persona u vranë atje gjatë një sulmi të paparë bombardimi natën e 1-2 korrikut.
Sulmi i së shtunës vjen një ditë pasi sulmet me dronë ukrainas goditën infrastrukturën e naftës në Rusi dhe portin e Taganrogut (në jug).



