
Japonia njoftoi të martën planet për të vendosur raketa tokë-ajër në një ishull japonez pranë Tajvanit deri në vitin 2031, ndërsa autoritetet japoneze përshkallëzojnë paralajmërimet e tyre në lidhje me ambiciet ushtarake të Kinës në rajon.
Japonia kishte deklaruar në vitin 2022 planet e saj për të ngritur një strukturë të tillë, por nuk kishte specifikuar një afat kohor për zbatimin e tij.
“Plani ynë është të vendosim raketa tokë-ajër me rreze të mesme veprimi gjatë vitit fiskal 2030, domethënë, gjatë periudhës 12-mujore që përfundon në mars 2031, në ishullin Yonaguni, rreth 110 kilometra në lindje të Tajvanit”, njoftoi Ministri japonez i Mbrojtjes Shinjiro Koizumi në një konferencë për mediat.
Ky ishull i izoluar, i vendosur afërsisht 2000 kilometra larg Tokios, strehon një bazë të Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes. Ky njoftim vjen ndërsa Kina ka ndërmarrë një sërë masash ekonomike, politike dhe simbolike kundër Japonisë që nga nëntori në hakmarrje për komentet e bëra nga Kryeministrja Sanae Takaichi.
Ajo sugjeroi se ndërhyrja ushtarake nga vendi i saj mund të ndodhte në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, një ishull të pretenduar nga Pekini.
Që atëherë, Kina i ka dekurajuar qytetarët e saj të udhëtojnë në Japoni. Të martën, njoftoi se po merr masa të ashpra ndaj 40 kompanive dhe organizatave japoneze që i akuzon për pjesëmarrje në rimilitarizimin e Japonisë, duke u ndaluar 20 prej tyre të sigurojnë mallra dhe teknologji me potencial të dyfishtë civil dhe ushtarak nga kompanitë me seli në Kinë.
“Japonezët nuk duhet të lejojnë më veten të manipulohen ose mashtrohen nga ata që kërkojnë të ringjallin militarizmin japonez”, deklaroi ministrja e Jashtme kineze Wang Yi në Konferencën e Sigurisë në Mynih në Gjermani.
Sanae Takaichi, nga ana e saj, akuzoi Kinën të premten se dëshiron të ndryshojë status quo-në me forcë ose shtrëngim në zonat detare mbi të cilat ajo konteston sovranitetin me fqinjët e saj, ndërsa pohoi dëshirën e saj për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive me Kinën.



