Hamasi ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje me Izraelin për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila, sipas raportimeve, parashikon edhe çarmatimin e lëvizjes islamike që ka qeverisur territorin për vite me radhë.
Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë të Hamasit për agjencinë AFP, të cilët thanë se palët kanë arritur dakordësinë për kushtet e fazës së re të marrëveshjes. Kjo vjen pasi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte deklaruar më herët se ishte arritur një progres i rëndësishëm në negociata.
Sipas burimeve, faza e dytë e armëpushimit synon të konsolidojë ndalimin e luftimeve, të mundësojë lirimin e mëtejshëm të pengjeve dhe të burgosurve, si dhe të krijojë kushte për një stabilizim afatgjatë të situatës në Gaza.
Një nga pikat më të ndjeshme të marrëveshjes mbetet çarmatimi i Hamasit, çështje që prej kohësh është konsideruar si një nga kërkesat kryesore të Izraelit.
Deri më tani nuk janë bërë publike detajet e plota të marrëveshjes, ndërsa pritet që ndërmjetësit ndërkombëtarë të japin më shumë informacion mbi mënyrën e zbatimit të saj.



