Pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë njoftuar planet për të ngritur një qendër jashtë vendit në Ruandë për personat pa të drejtë ligjore për të qëndruar në Evropë, në një skemë pilot e cila pritet të përballet me sfida ligjore dhe është denoncuar si “një dështim i rëndë moral”.
Gjermania, Austria, Holanda, Danimarka dhe Greqia, janë të parat që kërkojnë të përdorin ligjin e ri të BE-së për kthimin, i cili u lejon njerëzve që kanë shteruar të gjitha rrugët e apelimit kundër dëbimit të tyre nga Evropa, të dërgohen në një vend të tretë.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, pesë vendet e BE-së thanë se “Negociatat konkrete me vendin partner Ruandën do të fillojnë zbatimin. Skema do të jepte një kontribut të rëndësishëm në frenimin e mëtejshëm të emigracionit të paligjshëm, çmontimin e modelit të biznesit të kontrabandistëve dhe lehtësimin e barrës mbi popullsinë tonë”.
Zyrtarët shpresojnë të dërgojnë 100 persona në Ruandë që nga fillimi i vitit të ardhshëm për të testuar modelin. Skema do të zbatohet për të rriturit, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar ose për të tjerët që nuk kanë të drejtë ligjore për të jetuar në BE.
Sipas burimeve diplomatike, emigrantët do të qëndronin në një qendër pritjeje në Ruandë për disa muaj, përpara se të zgjidhnin të integroheshin në jetën në vendin e Liqeneve të Mëdha ose të ktheheshin në vendin e tyre të origjinës.
Ndryshe nga skema e dështuar e ndjekur nga qeveria konservatore britanike në Ruandë, apo marrëveshja e Italisë me Shqipërinë, kjo nuk do të zbatohet për personat që kërkojnë azil.
Qendra e pritjes, e cila do të jetë një strukturë e hapur, nuk ka për qëllim strehimin e njerëzve për një kohë të gjatë, por akomodimin e flukseve të rregullta të njerëzve.
Burime diplomatike thanë se vendet e BE-së nuk po përdornin strukturat e financuara nga Britania të ndërtuara në Kigali, raporton Guardian.
Qeveritë e përfshira argumentojnë se kjo do të mbrojë sistemin evropian të azilit, duke hequr njëkohësisht nxitjen për emigrantët e parregullt që të vijnë në Evropë.
