Shkencëtarët e Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar kanë hartuar një skenar të besueshëm klimatik për vitin 2056, sipas të cilit temperaturat në Angli mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius si pasojë e ngrohjes globale.
Skenari bazohet në një rritje prej 2.5°C të temperaturës globale dhe parashikon që Anglia të përballet me temperatura deri në 45°C, Uellsi me 41°C, Skocia me 38°C dhe Irlanda e Veriut me 30°C.
Një valë ekstreme e të nxehtit mund të zgjasë deri në dy javë, me nëntë ditë radhazi ku temperaturat tejkalojnë 40°C.
Sipas profesorit Stephen Belcher, klima e Mbretërisë së Bashkuar ka ndryshuar ndjeshëm që nga vera rekord e vitit 1976, ndërsa temperaturat mesatare verore janë rritur me rreth 1.4°C. Ai thekson se jo vetëm mesataret, por edhe fenomenet ekstreme të motit janë bërë më intensive.
Shkencëtarët sqarojnë se bëhet fjalë për një skenar të mundshëm shkencor dhe jo për një parashikim të sigurt të asaj që do të ndodhë në vitin 2056.



