Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga mediat italiane lidhur me vdekjen misterioze të Ferdinand Nokaj, studentit 25-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili u gjet i pajetë në brigjet e lumit Adige në Itali.
Gazeta italiane "Il Resto del Carlino" ka siguruar dëshminë e të fejuarës së tij amerikane, e cila hedh dritë mbi orët e fundit të tmerrit që ka përjetuar i riu përpara se të zhdukej më 30 gusht.
E fejuara e Ferdinandit, me të cilën ai bashkëjetonte prej gati dy vitesh, ka rrëfyer se e kishte pasur kontaktin e fundit me të mbrëmjen e 29 gushtit. Sipas medies italiane, vajza ka qenë aq e shqetësuar sa ka bërë edhe një telefonatë urgjence në numrin 112 për të kërkuar ndihmë dhe informacione për vendndodhjen e tij.
"Ferdinandi ishte një djalë mjaft i sjellshëm, argëtues dhe një person i jashtëzakonshëm", është shprehur ajo, duke refuzuar të japë detaje të mëtejshme për shkak të hetimeve që po zhvillohen.
Përpara se të humbiste çdo kontakt, Ferdinandi kishte njoftuar familjen e tij se ishte sulmuar fizikisht nga disa djem shqiptarë. Shenjat e dhunës dhe gërvishtjet në fytyrë ai i kishte dokumentuar edhe përmes një fotoje (screenshot) të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, e cila tashmë po analizohet nga policia.
I riu u kishte thënë familjarëve: "Keni kujdes, ruajuni!", nga frika se agresorët e dinin se ku banonin prindërit e tij në Colli al Metauro.
Mesazhi i fundit që i ka dërguar të vëllait në WhatsApp më 30 gusht në orën 19:16, si përgjigje ndaj pyetjes "Si je?", ai i kishte thënë: “Ende gjallë”. Pas këtij momenti, celulari i tij u fik.
Mbrëmjen e 24 shtatorit, në orën 23:10, telefoni i babait ra, karabinierët e Roveretos i kërkuan të paraqitej të nesërmen dhe e çuan në spitalin Santa Chiara në Trento, ku ai e njohu trupin e pajetë të të birit nga fytyra dhe gjithashtu nga një tatuazh në gjoks.



