Kryqi i Kuq ka paralajmëruar se kërcënimet dhe sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë objektet bërthamore, rrezikojnë të kthehen në një “normë të re” të rrezikshme në konfliktet moderne.
Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljariç, theksoi se luftërat pa kufij janë të paligjshme, çnjerëzore dhe shkatërruese për popullsinë civile.
Deklarata vjen në një kohë tensionesh në rritje, pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi sulme ndaj infrastrukturës iraniane nëse nuk rihapet ngushtica e Hormuzit për transport detar.
Spoljariç bëri thirrje urgjente për mbrojtjen e civilëve dhe objekteve jetike si termocentralet, spitalet dhe sistemet e ujit, duke theksuar detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Paralajmërime të ngjashme dhanë edhe drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, dhe zyrtarë të BE-së, të cilët theksuan se sulmet ndaj objekteve bërthamore mund të sjellin pasoja të rënda për njerëzit dhe mjedisin.



