Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, është betuar në detyrë, pothuajse një muaj pasi udhëhoqi partinë e tij Tisza drejt një fitoreje dërrmuese në zgjedhje, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
“Unë nuk do të sundoj mbi Hungarinë, por do t’i shërbej vendit tim”, deklaroi Magyar pas betimit në parlament.
Partia Tisza ka siguruar 141 vende nga 199 në parlamentin e ri hungarez, një rezultat historik për një forcë politike të krijuar vetëm dy vite më parë.
Ndërkohë, partia Fidesz e Viktor Orbán pësoi një humbje të rëndë, duke rënë nga 135 në vetëm 52 mandate.
Dhjetëra mijëra qytetarë pritet të marrin pjesë në një “festë të lirisë dhe demokracisë” jashtë parlamentit në Budapest, përgjatë brigjeve të Danubit.
Magyar u ka bërë thirrje hungarezëve të kalojnë “portën e ndryshimit të regjimit”.
Orban dhe disa figura të tjera kryesore të Fidesz nuk do të marrin vendet e tyre në parlamentin e ri, ndërsa e ardhmja politike e tyre mbetet e paqartë.
Magyar ka premtuar një “ndryshim sistemi”, duke paralajmëruar reforma të thella dhe luftë kundër korrupsionit.
Sipas mediave ndërkombëtare, ditët e fundit janë shtuar akuzat dhe zbulimet për korrupsion ndaj ish-qeverisë që drejtoi vendin që nga viti 2010.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përshëndeti ndryshimin politik në Hungari, duke e cilësuar atë si një “sinjal të fortë në këto kohë të vështira”.
“Në këtë Ditë të Europës, zemrat tona janë në Budapest”, shkroi ajo në platformën X.
Edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, përshëndeti “një kapitull të ri në historinë e Hungarisë” pas fitores bindëse të Magyar ndaj nacionalistit Viktor Orbán.
“Jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë e re hungareze”, deklaroi Costa gjatë një konference për shtyp në Bruksel.



