Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha rrjetit amerikan Fox News se disa fshatra të krishtera në Libanin jugor kërkuan t’i aneksoheshin Izraelit, duke kërkuar, sipas tij, mbrojtje nga Hezbollahu.
“Fshatrat e krishtera në Liban kërkuan të aneksohen nga Izraeli sepse ne i mbrojmë ato nga fanatikët e Hezbollahut që duan t’i shfarosin. Dhe ne bëjmë të njëjtën gjë me të krishterët kudo”, tha Netanyahu në “The Sunday Briefing”.
Që nga fillimi i luftës, disa fshatra të krishtera janë nënshtruar granatimeve izraelite, duke i detyruar banorët të largohen. Megjithatë, shumica e tyre mbeten të banuara pavarësisht urdhrave izraelitë për evakuim. Ushtria izraelite kishte paralajmëruar fshatrat me popullsi kryesisht të krishterë që të mos lejonin hyrjen ose qëndrimin e të huajve, për sigurinë e tyre.
Në një fjalim të tij, Netanyahu përsëriti se ushtria do të ruajë praninë e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur banorët e veriut dhe të gjithë qytetarët e Izraelit.
Në Fox News, ai iu referua gjithashtu mosmarrëveshjeve të tij me Donald Trump në lidhje me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar më 17 prill midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, e cila është e përcaktuar, siç thashë, midis aleatëve. Në 99% të rasteve, ne jemi në të njëjtën gjatësi vale, por si në çdo familje, në çdo miqësi të ngushtë, ndonjëherë ka dallime mendimesh dhe ne i diskutojmë ato hapur dhe në përgjithësi i zgjidhim edhe ato.



