Kompanitë e mëdha amerikane në “Wall Street”, gjigantët e kapitalit privat si “Blackstone” apo fondet e mëdha të investimi nuk do të munden të blejnë më banesa familjare për t’i dhënë me qira.
Pas vitit 2008 kur ra kriza ekonomike, këto fonde qindra miliardëshe filluan blerjen e mijëra banesave të qytetarëve amerikanë për shkak të sekuestrimeve dhe se ishin shumë lirë.
Sipas një pjese të ekonomistëve amerikanë, kjo lëvizje ka rritur shumë çmimet dhe qiratë e shtëpive. Sasia e parave që hedhin në treg këta blerës të mëdhenj e tejkalon qindra herë ofertën e qytetarëve të zakonshëm.
Më 7 janar, Presidenti Trump njoftoi se do të ndërmarrë hapat e duhur që t'i ndalojë këta investitorë të hyjnë në tregun e banesave familjare.
Qëllimi, sipas tij, është ta bëjë më të lehtë dhe më të përballueshme për amerikanët e zakonshëm, veçanërisht të rinjtë, të kenë në pronësi shtëpitë e tyre.
Presidenti pritet të kërkojë nga Kongresi që të kalojë ligj të posaçëm për këtë pikë. Ndërkohë, ekonomistë të ndryshëm shprehen për mediat amerikane se këta investitorë të mëdhenj zotërojnë një përqindje të vogël të të gjitha banesave familjare në SHBA (rreth 1-4%), ndaj ndalesa mund të mos i ulë ndjeshëm çmimet e shtëpive në të gjithë vendin. Sipas tyre, problemi kryesor për strehim të përballueshëm është mungesa ndërtimeve të banesave të reja.



