Franca ka shpallur alarm të kuq për valën e të nxehtit në rreth gjysmën e territorit të saj, përfshirë Parisin, ndërsa temperaturat po i afrohen niveleve rekord në disa rajone të vendit.
Në qytetin jugperëndimor të Bordeaux, temperaturat arritën të dielën në 40 gradë Celsius, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kulmi i valës së të nxehtit pritet të regjistrohet të hënën, me mundësi për rekorde të reja historike.
Për shkak të kushteve ekstreme atmosferike, 49 rajone franceze janë vendosur nën alarm të kuq, ndërsa pjesë të tjera të vendit mbeten nën alarm portokalli. Sipas autoriteteve, masat emergjente janë ndërmarrë për të mbrojtur popullsinë dhe për të shmangur mbingarkesën e sistemit shëndetësor.
Në kuadër të këtyre masave, qeveria franceze ndaloi konsumimin e alkoolit në vendet publike gjatë Festës së Muzikës (Fête de la Musique), një nga aktivitetet më të mëdha kulturore në vend që mbledh miliona pjesëmarrës çdo vit.
“Për të gjitha aktivitetet e organizuara nga shteti dhe institucionet e tij janë dhënë udhëzime që të mos ofrohet alkool”, njoftoi zyra e kryeministrit. Sipas qeverisë, kufizimet synojnë të ruajnë kapacitetet e shërbimeve të urgjencës dhe të lejojnë personelin mjekësor të fokusohet tek grupet më të rrezikuara.
Vala e të nxehtit ka ndikuar gjithashtu në sistemin arsimor. Rreth 850 shkolla do të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa mbi 1.500 të tjera do të lejojnë largimin e hershëm të nxënësve.
Meteorologët shpjegojnë se temperaturat e larta po shkaktohen nga masat e ajrit të nxehtë që lëvizin nga shkretëtira e Saharasë drejt Evropës Perëndimore dhe Qendrore, duke krijuar kushte të qëndrueshme të vapës ekstreme.
Edhe vende të tjera evropiane po përballen me temperatura të larta. Italia ka shpallur alarm të kuq në disa qytete të mëdha, përfshirë Bolonjën, Firencen, Milanon dhe Torinon, ndërsa Spanja ka lëshuar paralajmërime për temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në shumë rajone.
Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, ka bërë të ditur se mbetet ende e paqartë se sa do të zgjasë kjo valë e të nxehtit, e cila pritet të prekë rreth tre të katërtat e popullsisë së vendit.
Për të ndihmuar banorët dhe turistët të përballojnë temperaturat e larta, autoritetet e Parisit kanë vendosur të mbajnë të hapura gjatë gjithë natës parqet dhe kopshtet publike të kryeqytetit.



