Një grua me pseudonimin Natalie ka deklaruar se është trafikuar nga Jeffrey Epstein dhe më pas është abuzuar nga miliarderi i ndjerë, Mohamed Al Fayed, në superjahtin e tij “Jonikal”, në Saint-Tropez, në vitin 1997. Ajo tha se ishte kontaktuar nga Epstein në moshën 17 vjeç dhe dërguar dy vjet më vonë te Al Fayed, të cilin e përshkroi si “një burrë shumë më të vjetër”.
Natalie pretendon se Al Fayed nuk e lejonte të largohej nga jahti derisa anija të ankoronte dhe abuzoi seksualisht me të gjatë kësaj kohe. Ajo shtoi se vetëm kohët e fundit e ka marrë vesh identitetin e abuzuesit, pasi pa një artikull online për të.
Më shumë se 400 gra kanë ngritur akuza për përdhunim dhe sulm seksual ndaj Al Fayed që nga vdekja e tij në vitin 2023. Hetimet përfshijnë edhe dyshime për ndihmës të mundshëm dhe shqyrtimin e përdorimit të aeroporteve britanike nga Epstein për trafikim të mundshëm. Scotland Yard dhe policitë e Essex dhe Bedfordshire po vazhdojnë hetimet.



