Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, është vënë në shënjestër të një sulmi masiv me raketa ruse në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar dëme në disa zona të qytetit.
Kryebashkiaku Vitali Klitschko njoftoi përmes një reagimi në Telegram, pak para orës 03:00, se sulmi ndaj kryeqytetit ishte ende në zhvillim. Më herët ai kishte paralajmëruar për goditje me raketa balistike ndaj infrastrukturës.
Sipas autoriteteve lokale, pallate apartamentesh dhe ndërtesa banimi janë goditur në të dy anët e lumit Dnieper, që përshkon qytetin. Menjëherë pas shpërthimeve, në zonat e prekura janë dërguar ekipet e emergjencës për të ofruar ndihmë dhe për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Timur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, konfirmoi se janë regjistruar goditje në një shtëpi private dhe në dy pallate apartamentesh.
Korrespondentët e Reuters raportuan për disa shpërthime të fuqishme në qytet, ndërsa sulmi ishte ende në vijim. Deri tani nuk është bërë publik një bilanc zyrtar për viktima apo të plagosur.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore deri në përfundimin e alarmit ajror.



