Presidenti Volodymyr Zelensky ka ndërmarrë hapa për të frenuar zemërimin e popullit në Ukrainë, lidhur me një skandal korrupsioni në sektorin e energjisë duke shkarkuar dy ministra të akuzuar për përfshirje në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë.
Presidenti i Ukrainës tha se ministri i Drejtësisë Herman Halushchenko dhe ministrja e Energjisë Svitlana Grynchuk nuk mund të qëndronin më në punët e tyre.
Ai bëri thirrje për sanksione personale kundër mikut dhe ish-partnerit të tij në biznes Timur Mindich, organizatorit të dyshuar të skemës.
Duhet të ketë integritet maksimal në sektorin e energjisë, në absolutisht të gjitha proceset. Unë mbështes çdo hetim të kryer nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe ata kundër korrupsionit. Ky është një qëndrim absolutisht i qartë dhe konsistent për të gjithë.
Duke premtuar llogaridhënie për ata që shkelin ligjin, ai shtoi: “Tani për tani, është jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë në Ukrainë, të durojnë ndërprerjet e energjisë, sulmet dhe humbjet ruse. Është absolutisht e papranueshme që mes gjithë kësaj, të ketë edhe disa skema korrupsioni në sektorin e energjisë.”
Kjo çështje po shndërrohet në një krizë të madhe politike për Zelenskyn. Aktivistët kundër korrupsionit, politikanët e opozitës dhe veteranët e ushtrisë i kanë kërkuar Zelenskyt të ndërmarrë veprime vendimtare, edhe nëse kjo do të thotë shkarkimin dhe burgosjen e dhimbshme të njerëzve që ai i njeh personalisht.
Kjo vjen pas një hetimi 15-mujor nga byroja kombëtare anti-korrupsion e Ukrainës (Nabu) ndaj kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.
I dyshuari kryesor, Mindich, është një biznesmen i cili bashkëthemeloi Kvartal 95, kompaninë e prodhimit mediatik të Zelensky.
Thuhet se Mindich iku jashtë vendit, ndoshta në Izrael, disa orë para se hetuesit të mbërrinin në apartamentin e tij në Kiev për të kryer një kontroll. Ai më parë ishte i afërt me Zelensky-n, megjithëse burimet thonë se ata kanë pasur pak komunikim që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë.
Nabu e përmendi Mindich si një nga shtatë të dyshuarit e përfshirë në një skemë korrupsioni prej 100 milionë dollarësh.
Sipas kësaj skeme, palët e tjera të Energoatom u detyruan të paguanin ryshfete prej 10-15% për të shmangur bllokimin e pagesave për shërbimet ose humbjen e statusit të furnizuesit.
Grynchuk dhe Haluschenko paraqitën dorëheqjet e tyre të mërkurën. Të dy mohuan të kenë bërë ndonjë shkelje. Ministri i Drejtësisë tha se pezullimi i tij nga detyra ishte “i përshtatshëm” dhe u zotua të mbrohej, pasi një nga ish-këshilltarët e tij u përfshi drejtpërdrejt në skandal.
Gjatë kësaj jave, Nabu publikoi regjistrime audio të pjesëmarrësve të dyshuar duke diskutuar ryshfet dhe duke përdorur emra të koduar të vjetër.
Haluschenko, ish-ministri i Energjisë i Ukrainës, njihet me nofkën “Profesor”. Mindich njihet si “Karlson”.
Një tjetër i dyshuar i profilit të lartë është Oleksiy Chernyshov, një ish-zëvendëskryeministër i akuzuar tashmë për shpërdorim detyre në një çështje të veçantë.
Në një regjistrim të publikuar të martën, Chernyshov thuhet se dëgjohet duke diskutuar një pagesë prej gjysmë milioni dollarësh në para të gatshme, që do të merrej nga gruaja e tij.
Oleksandr Abakumov, kreu i ekipit hetimor të Nabu-së, tha se shkalla e korrupsionit ishte e madhe.
“Kjo nuk është një histori për korrupsionin në Ukrainë. Bëhet fjalë për mënyrën se si vendi po lufton me korrupsionin, po lufton korrupsionin”, tha ai, duke pranuar se hetimi i agjencisë, i quajtur Operacioni Midas, ishte përballur me shumë pengesa.



