Të paktën 12 efektivë policie kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi terrorist në veriperëndim të Pakistanit.
Sipas policisë pakistaneze, militantë ekstremistë shpërthyen një makinë të mbushur me eksploziv pranë një posti kontrolli të policisë në zonën Fateh Khel, në qytetin Bannu, ndërsa më pas hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë.
Ngjarja ndodhi të shtunën, kur një kamikaz u përplas me automjetin e tij të minuar në postbllokun e policisë.
Pas shpërthimit, disa persona të armatosur hynë në postën policore dhe sulmuan efektivët.
Zyrtari i policisë lokale, Muhammad Sajjad Khan, konfirmoi se deri tani janë identifikuar 12 viktima, ndërsa një tjetër polic rezulton i zhdukur. Autoritetet pakistaneze kanë nisur hetimet për sulmin, ndërsa forcat e sigurisë kanë rritur masat në zonë.



