Autoritetet gjermane kanë shpallur në kërkim një 21-vjeçar të dyshuar për sulmin e ndodhur pranë Paradës së Krenarisë në Berlin, ku humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur të paktën 16 të tjerë.
Policia dhe prokuroria identifikuan të dyshuarin si Abdul B., ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo kontakt me të, pasi konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.
Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari dyshohet se goditi me një furgon një grup njerëzish të shtunën në mbrëmje në zonën e parkut Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut. Pas përplasjes, një ose më shumë persona janë larguar nga automjeti, ndërsa disa prej të plagosurve dyshohet se janë sulmuar edhe me thikë.
Zëdhënësi i policisë së Berlinit, Florian Nath, tha se i dyshuari është i njohur për autoritetet për lidhje me qarqe islamike në kryeqytetin gjerman, por theksoi se motivi i sulmit dhe roli i tij i saktë në ngjarje mbeten ende nën hetim.
Pas sulmit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë Berlinin, me pjesëmarrjen e qindra efektivëve dhe helikopterëve. Sipas dëshmitarëve, drejtuesi i furgonit u largua në këmbë menjëherë pas përplasjes.
Shërbimi zjarrfikës i Berlinit konfirmoi se një person humbi jetën, ndërsa të paktën 16 të tjerë u plagosën, disa prej tyre në gjendje kritike. Për transportimin e të plagosurve u ngrit edhe një pistë e përkohshme për uljen e helikopterëve pranë ndërtesës së Reichstagut.
Kancelari gjerman Friedrich Merz dënoi ashpër sulmin dhe premtoi se autorët do të përballen me drejtësinë.
Ngjarja detyroi organizatorët të ndërprisnin një nga aktivitetet më të mëdha të Paradës së Krenarisë në Evropë. Sulmi ndodhi pasi qindra mijëra persona kishin marrë pjesë në festimet e Ditës Christopher Street (CSD), manifestimi më i madh në Gjermani në mbështetje të komunitetit LGBTQ+.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e cilësoi ngjarjen si "një sulm ndaj shoqërisë së lirë dhe kozmopolite", duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të plagosurit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit vijojnë.



