Presidenti çek, Petr Pavel, i ka bërë thirrje NATO-s të reagojë më ashpër ndaj provokimeve të vazhdueshme ruse në krahun lindor të aleancës, duke paralajmëruar se mungesa e vendosmërisë mund ta inkurajojë Moskën të intensifikojë veprimet e saj.
Në një intervistë për “The Guardian”, ish-gjenerali dhe ish-kreu i komitetit ushtarak të NATO-s sugjeroi masa të forta “asimetrike”, si ndërprerja e internetit, shkëputja e bankave ruse nga sistemi financiar global dhe madje rrëzimi i avionëve që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s.
Pavel kritikoi hezitimin e disa vendeve perëndimore përballë Rusisë, duke theksuar se Kremlini “kupton vetëm gjuhën e forcës”.
Ai kërkoi më shumë presion nga SHBA dhe Evropa ndaj Moskës për ta detyruar të pranojë armëpushim dhe negociata reale për paqen në Ukrainë.



