Një tërmet me magnitudë 7.2 ballë goditi Japoninë verilindore të enjten, duke plagosur të paktën katër persona, duke ndërprerë shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë dhe duke detyruar shkollat të mbyllen përkohësisht, sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se nuk kishte kërcënim për cunami nga tërmeti në orën 07:30 të mëngjesit sipas orës lokale që goditi brigjet e Paqësorit të prefekturës Iwate në një thellësi prej 44 kilometrash.
Tërmeti ndodhi vetëm 25 minuta pas tërmeteve të dyfishta me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë që shkaktuan dëme të mëdha në Venezuelë, më shumë se 14.000 kilometra larg. Të dy tërmetet nuk janë të lidhura drejtpërdrejt.
Departamentet lokale të zjarrfikësve në Hashikami dhe Hachinohe thanë se katër persona, adoleshentë dhe njerëz rreth të 50-ave, u dërguan në spital me lëndime të lehta.
Në një konferencë për mediat, shërbimi meteorologjik i bëri thirrje publikut të qëndrojë vigjilent për lëkundje të forta pasuese javën e ardhshme.
Agjencia tha se nuk do të lëshonte paralajmërim për një tërmet të mëvonshëm në brigjet e Hokkaidos dhe Sanrikut sepse tërmeti nuk i plotësonte kriteret e shkaktimit.



