Një nga destinacionet më të bukura turistike pranë Liqenit të Komos në Itali ka vendosur masa të reja për të frenuar sjelljet që konsiderohen të papërshtatshme nga vizitorët. Fshati piktoresk i Varenës ka miratuar gjoba deri në 200 euro për personat që shëtisin në rrugët e tij me gjoks të zhveshur ose me rroba banje.
Autoritetet lokale thonë se vendimi synon të ruajë pamjen tradicionale të fshatit dhe të mbrojë cilësinë e jetës së rreth 650 banorëve të përhershëm, në një kohë kur numri i turistëve është rritur ndjeshëm.
Sipas rregullave të reja, veshjet e plazhit lejohen vetëm në zonat pranë liqenit dhe gjatë udhëtimeve me varkë, ndërsa në qendrën e fshatit, në rrugicat me kalldrëm, në dyqane, restorante dhe vende historike kërkohet një veshje më e përshtatshme. Shkelësit mund të përballen me gjoba nga 50 deri në 200 euro.
Përveç kodit të veshjes, autoritetet kanë vendosur kufizime edhe për grupet turistike. Grupet nuk duhet të kenë më shumë se 25 persona dhe nuk lejohen të bllokojnë rrugët e ngushta të Varennës. Gjithashtu, guidave turistike u është ndaluar përdorimi i altoparlantëve.
“Varenna është një fshat i mrekullueshëm dhe jemi krenarë që mirëpresim qindra mijëra vizitorë nga e gjithë bota çdo vit. Por cilësia e jetës së banorëve tanë nuk mund të sakrifikohet përballë turizmit masiv”, deklaroi kryebashkiaku Mauro Manzoni.
Banorët dhe bizneset lokale e kanë mirëpritur vendimin, duke argumentuar se turistët janë të mirëpritur, por duhet të respektojnë karakterin dhe traditat e vendit.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në qytete të tjera turistike italiane. Sorrento ka vendosur gjoba për turistët që ecin me rroba banje ose pa bluzë në qendër të qytetit, ndërsa Portofino ka ndërmarrë kufizime ndaj sjelljeve që shkaktojnë grumbullime të mëdha në zona të caktuara.
Italia po përballet prej vitesh me sfidën e menaxhimit të turizmit masiv, duke kërkuar një ekuilibër mes mirëpritjes së miliona vizitorëve dhe ruajtjes së jetës së përditshme të komuniteteve lokale.



