Një shtëllungë e madhe tymi u pa sot pranë aeroportit kryesor të Riadit, pasi u dëgjuan shpërthime. Arabia Saudite lëshoi alarme gjatë natës për rrezik të mundshëm rreth kryeqytetit, ndërkohë që ka një përshkallëzim të sulmeve nga grupi Houthi i Jemenit.
Dy banorë të kryeqytetit saudit thanë se panë tym të zi dhe flakë që dilnin nga zona pranë Aeroportit Ndërkombëtar "King Khalid" të Riadit, ndërsa njerëz të tjerë në qytet raportuan se dëgjuan shpërthime.
"Në drejtim të aeroportit pamë tym të zi dhe zjarr," tha një nga banorët për AFP-në.
Një depozitë karburanti e kompanisë Aramco në aeroport u përfshi nga flakët, sipas një gazetari të AFP-së.
Ndërkohë, faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve FlightRadar24 raportoi probleme të mëdha në aeroport, përfshirë anulime dhe vonesa.
Aeroporti Ndërkombëtar "King Khalid" i Riadit u rendit në nivelin maksimal të indeksit të ndërprerjeve (5.0) të faqes, që do të thotë se aeroporti po përballej me "probleme të mëdha, me vonesa të gjata dhe disa fluturime të anuluara".
Kjo ndërprerje pasoi një alarm për sulm ajror të lëshuar nga autoritetet saudite gjatë natës.
Disa orë pas alarmit të orëve të para të mëngjesit, banorët i thanë AFP-së, në kushte anonimiteti, se dëgjuan atë që dukej si një valë tjetër shpërthimesh që jehoi në pjesë të ndryshme të kryeqytetit saudit.
Alarmi në Riad ishte i pari për kryeqytetin saudit që nga përshkallëzimi i fundit me rebelët Houthi të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani.
Houthi-t e Jemenit kanë ndërmarrë një ofensivë të shpejtë këtë muaj, duke marrë nën kontroll territore të gjera në një nga vendet më të varfra të botës dhe duke e lënë qeverinë e njohur ndërkombëtarisht – e cila mbështetet nga Arabia Saudite – në përpjekje të dëshpëruara për t'iu përgjigjur situatës.
Vetë Arabia Saudite, një nga fuqitë kryesore të rajonit, ka kryer dhjetëra sulme ajrore në zonat e kontrolluara nga Houthi-t, por nuk ka arritur ta ndalojë avancimin e tyre. Ajo ka kërkuar gjithashtu ndihmë nga aleati i saj, SHBA-ja, por kjo ndihmë nuk është konkretizuar.
Kombet e Bashkuara njoftuan të premten se luftimet e ripërtëritura kanë shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 112 000 njerëzve, ndërsa rreth 3 000 të tjerë janë larguar përmes detit drejt Xhibutit. Lufta në Jemen shpërtheu në vitin 2014, kur Huthët morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa dhe rajoneve të tjera, duke nxitur një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në mars të vitit 2015.
Armëpushimi i brishtë i arritur në vitin 2022 midis palëve ndërluftuese dështoi në korrik, kur Huthët sfiduan kontrollin e Riadit mbi hapësirën ajrore të Jemenit duke lejuar uljen e një avioni iranian në vend.
Marrja e kontrollit të vijës bregdetare prej tyre kohët e fundit ka ngjallur shqetësim global, ndërkohë që tregtia ndërkombëtare detare është prekur tashmë nga bllokada që Irani i ka vendosur ngushticës së Hormuzit që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.
Huthët këmbëngulin se nuk ka asnjë kërcënim për transportin detar në atë korridor – me përjashtim të anijeve nga Arabia Saudite, eksportuesi kryesor në botë i naftës së papërpunuar.
Sulmi ndaj Riadit ndodhi ndërsa Huthët po forcojnë mbrojtjen në territoret e sapomarra përgjatë bregdetit të Jemenit në Detin e Kuq; anëtarë të grupit i thanë agjencisë AFP se ata po instalojnë radarë dhe po hapin tunele.



