Një zjarr i fuqishëm përfshiu disa dyqane dhe një ndërtesë banimi në Bronx, New York, gjatë natës të së enjtes, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pamje dramatike, por pa pasoja të rënda për jetën e njerëzve.
Sipas NBC News, flakët shpërthyen rreth orës 22:30 në Prospect Avenue, në zonën Melrose. Një ndërtesë njëkatëshe tregtare u përfshi plotësisht nga zjarri, i cili më pas u përhap në një pallat gjashtëkatësh pranë saj, duke detyruar evakuimin e banorëve.
Zjarri shkatërroi disa biznese lokale, ndërsa më shumë se 200 zjarrfikës dhe punonjës të emergjencës u angazhuan për vënien nën kontroll të flakëve.
Një person u trajtua në vend për lëndime të lehta, ndërsa autoritetet konfirmuan se nuk ka të lënduar seriozë.
Pamjet ajrore të publikuara nga CBS tregojnë përmasat e zjarrit, ndërsa dëshmitarët përshkruan skena kaosi dhe frike, me banorë që largoheshin me vrap dhe të tjerë që kërkonin ndihmë nga dritaret.



