Djali i princeshës së kurorës së Norvegjisë është akuzuar për përdhunimin e katër grave, dhunë në familje, sulm dhe krime të tjera pas një hetimi policor njëvjeçar, sipas prokurorëve.
Marius Borg Hoiby, 28 vjeç, djali i Princeshës së Kurorës Mette-Marit dhe djali i adoptuar i trashëgimtarit të fronit, Princit të Kurorës Haakon, pritet të dalë në gjyq në fillim të vitit të ardhshëm dhe mund të përballet me njw dwnim deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtor për akuzat më të rënda, tha avokatja e shtetit të Oslos, Sturla Henriksbo.
Hoiby mohon akuzat më të rënda kundër tij, por planifikon të deklarohet fajtor për disa akuza më të lehta në gjykatë kur të fillojë gjyqi, tha avokati i tij Petar Sekulic për agjencinë e lajmeve Reuters.
"Ai nuk pajtohet me pretendimet në lidhje me përdhunimin dhe dhunën në familje", tha Sekulic për klientin e tij.
Hoiby u akuzua të hënën për 32 vepra penale, duke përfshirë një akuzë për përdhunim me marrëdhënie seksuale dhe tre akuza për përdhunim pa marrëdhënie seksuale, disa prej të cilave i filmoi në telefonin e tij, tha prokuroria.
Henriksbo vlerëson se gjyqi mund të fillojë në mesin e janarit dhe të zgjasë rreth gjashtë javë.
Hoiby nuk ka titull mbretëror dhe është jashtë vijës së trashëgimisë mbretërore.
Abuzim në familje
Policia në nëntor të vitit të kaluar e mbajti Hoibyn në paraburgim për një javë si pjesë e hetimit.
Në gusht të vitit të kaluar, Hoiby u shpall i dyshuar për sulm fizik ndaj një gruaje me të cilën kishte qenë në një lidhje - viktima e vetme e identifikuar nga prokuroria, Nora Haukland.
Hoiby, në një deklaratë për median në atë kohë, pranoi se i kishte shkaktuar dëmtime trupore gruas ndërsa ishte nën ndikimin e kokainës dhe alkoolit dhe se kishte dëmtuar apartamentin e saj. Ai kishte deklaruar atëherë se ishte penduar për veprimet e tij.
Sipas raportimeve të medias, ai kaloi kohë me anëtarë të bandave, motoristë të Hells Angels dhe anëtarë të mafias shqiptare të Oslos. Në vitin 2023, policia e kontaktoi atë për të diskutuar takimet e tij me "kriminelë famëkeq".
Vitin e kaluar doli se Hoiby ishte arrestuar tashmë në vitin 2017 për përdorim kokaine në një festival muzikor.



