Kompania amerikane Meta është shpallur në shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur të ndalojë në mënyrë efektive përdorimin e platformave të saj nga fëmijët nën moshën 13 vjeç.
Sipas gjetjeve paraprake të publikuara nga Komisioni Evropian, kompania nuk ka vendosur mekanizma të mjaftueshëm për të parandaluar aksesin e të miturve në Facebook dhe Instagram.
Hetimi, që zgjati gati dy vjet, arriti në përfundimin se Meta nuk ka zbatuar siç duhet rregullat e veta për moshën minimale, duke lejuar përdoruesit e mitur të regjistrohen lehtësisht përmes vetëdeklarimeve të rreme.
Sipas Komisionit, mjetet e raportimit për përdorimin nga të miturit janë të vështira për t’u përdorur dhe jo efektive, duke lejuar kështu vazhdimin e aktivitetit të tyre në platformë.
Pas një vlerësimi fillestar, Meta u konsiderua në shkelje të Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA), i cili kërkon që platformat të identifikojnë dhe të zbusin rreziqet për përdoruesit e mitur. Megjithatë, Komisioni theksoi se këto janë gjetje paraprake dhe nuk paragjykojnë vendimin përfundimtar.
Kompania tashmë ka të drejtën të shqyrtojë dosjen dhe të paraqesë mbrojtjen e saj. Në rast se shkeljet konfirmohen, Meta mund të përballet me gjoba deri në 6% të të ardhurave të saj globale, të cilat për vitin 2025 arritën në 201 miliardë dollarë.
Zyrtarja e lartë e Komisionit për politikat teknologjike, Henna Virkkunen, deklaroi se platformat nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët. Ajo theksoi se rregullat nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por të shoqërohen me veprime konkrete.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane po shqyrtojnë masa më të rrepta ndaj mediave sociale për të miturit. Diskutimet për ndalime apo kufizime të moshës janë intensifikuar, ndërsa shqetësimet për ndikimin e platformave në shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve janë në rritje.



