Autoritetet siriane kanë lëshuar një urdhër arresti për ish-presidentin Bashar Al Assad duke e akuzuar për vrasje dhe torturë, veprimi i parë ligjor kundër tij nga vendi të cilin ai e sundoi për 24 vjet.
Gjykatësi hetues Tawfiq Al Ali tha se masa tjetër është të bindet Interpoli që të miratojë urdhër-arrestin kundër Al Assad, i cili ndodhet në Moskë, për të “arritur drejtësi për viktimat dhe të afërmit e tyre”.
Al Ali u tha mediave zyrtare se akuzat, në lidhje me ngjarjet në Deraa, janë për vrasje, torturë dhe nxitje për të kryer vrasje. Deraa është vendlindja e revoltës siriane të vitit 2011.
Gjyqtari shtoi se akuzat kundër Al Assad u ngritën sipas kodit penal sirian, pasi u vërtetua se ish-udhëheqësi po i shmanget drejtësisë. Çështja u ngrit nga individë të paidentifikuar, si dhe nga shteti, shtoi ai.
Bashar Al Assad, forcat e të cilit shtypën një revoltë paqësore në Deraa, iku në Rusi kur Ahmad Al Shara, aktualisht president i Sirisë, udhëhoqi kryengritësit në një ofensivë 11-ditore e cila i dha fund pesë dekadave të sundimit të familjes Assad dhe solli ngritjen politike të shumicës sunite të Sirisë.
Në 10 muajt e fundit, qeveria e re ka kapur qindra ish-zyrtarë dhe operativë të sigurisë, por jo nivelet më të larta të regjimit të mëparshëm, shumica e të cilëve janë në Rusi.
Megjithatë, vrasjet për hakmarrje janë kryer pothuajse çdo ditë në Siri kundër rangjeve të ulëta dhe atyre që shihen si bashkëpunëtorë.
Vrasje masive kanë ndodhur edhe kundër alavitëve , pakicës së cilës i përket Assad dhe që mbështetën ish-diktaturën.
Zyrtarët sirianë kanë shmangur përmendjen e Al Assad në publik, ndërsa kërkojnë të krijojnë lidhje me ish-aleatët e tij, përfshirë Rusinë, e cila ishte mbështetësja e tij më e fuqishme dhe ende ka baza ushtarake në Siri.
Në dekadën e fundit të regjimit të mëparshëm, disidentët sirianë kërkuan veprime ligjore kundër Al Assad në vendet perëndimore, por nuk arritën asnjë rezultat. Trupat e tij, si dhe milicitë besnike, vranë mijëra civilë në shtypjen fillestare të revoltës në Deraa dhe pjesën tjetër të Sirisë. Deri në fund të vitit 2011, Siria ishte në luftë civile.
Në vitin 2014, u bënë publike fotot që dokumentonin vrasjen e mijëra të burgosurve politikë në burgjet siriane.
Ato u bënë të njohura si Fotot e Cezarit, të emëruara sipas një dezertori nga ushtria e zotit Al Assad, i cili ishte nga Deraa.



