Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka refuzuar propozimin më të fundit të Iranit për armëpushim dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se pret të rifillojë bombardimet ndaj Republikës Islamike pas zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit, raportoi të premten "Wall Street Journal", duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sipas gazetës, Trump është skeptik se Teherani do t'i pranojë kushtet e tij, pavarësisht se publikisht ka parashikuar se Irani do të kërkojë një marrëveshje pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se qëndrimi i tij mund të ndryshojë gjatë javëve në vijim dhe mund të ndikohet nga rezultatet e zgjedhjeve.
Raporti vjen pasi Teherani ofroi një plan veprimi shtatë-ditor për t'u dhënë fund armiqësive, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të rifilluar negociatat mbi programin e tij bërthamor. Në këmbim, SHBA-ja do të hiqte bllokadën detare, do të lehtësonte sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane dhe do të zhbllokonte disa asete iraniane të ngrira.
Sipas WSJ, Trump e ka refuzuar propozimin dhe administrata ka njoftuar Iranin dhe ndërmjetësuesit rajonalë se ai nuk ka ndërmend ta heqë bllokadën detare. Megjithatë, një zyrtar amerikan tha se negociatat përmes ndërmjetësuesve po vazhdojnë.



