
Thatësira shtatëvjeçare në Marok ka përfunduar pas reshjeve të dendura të javëve të fundit, bëri të ditur qeveria në Rabat. Kjo konfirmon një ndryshim të madh në situatën e ujit në vend.
Duke folur gjatë një seance të Dhomës së Përfaqësuesve, ministri i Pajisjeve dhe Ujit, Nizar Baraka, tha se reshjet nga 1 shtatori deri më 12 janar arritën në 108 milimetra, rreth 95% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 17% mbi mesataren sezonale afatgjatë.
"Me këto nivele, mund të themi se Maroku zyrtarisht ka dalë nga vitet e thatësirës," deklaroi Baraka.
Sipas portalit MoroccoWorldNews, reshjet e dendura përmirësuan në mënyrë drastike nivelet e digave. Shkalla mesatare kombëtare e mbushjes së digave u rrit në rreth 46% nga 31% që ishte në dhjetor, duke krijuar rezerva ujore në rreth 7.7 miliardë metra kub.
Disa rezervuarë të mëdhenj që furnizojnë qytete dhe toka bujqësore arritën pothuajse kapacitetin e tyre, tha Baraka, me disa diga që raportojnë shkallë mbushjeje nga 80% në 100%.
Mbulesa e dukshme e borës këtë sezon kontribuoi gjithashtu në rimbushjen e burimeve ujore. Baraka tha se reshjet e borës fillimisht mbuluan 55 495 kilometra katrorë terren malor.
Para shirave, digat dhe rezervuarët e Marokut ishin në minimumin e tyre për shkak të reshjeve nën mesataren për vite me radhë. Të dhënat zyrtare në fund të vitit 2025 treguan se rezervat kombëtare të digave kishin rënë në rreth një të tretën e kapacitetit total.
Thatësira e zgjatur e shtyu Marokun në listën globale të pikave të nxehta të prekura nga thatësira, sipas një raporti të cituar nga Morocco World News në korrik. Raporti paralajmëroi se disponueshmëria kronike e ulët e ujit po ushtronte një presion në rritje mbi familjet, bujqësinë dhe infrastrukturën ujore, pasi vitet e thata të përsëritura ulën reshjet, dobësuan rezervat e ujërave nëntokësore dhe rritën presionin mbi fermat dhe jetesën rurale.
Në dhjetor, Reuters vuri në dukje se Maroku synonte të zgjeronte kapacitetin e desalinizimit për të kompensuar mungesat e ujit dhe për të furnizuar me ujë të pijshëm, me qëllim që 60% e ujit të pijshëm të merrej nga uji i detit i trajtuar deri në vitin 2030.



