Lufta mes SHBA-së dhe Iranit pritet të dominojë edhe takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të ASEAN-it në Manila, ku diplomatët do të kërkojnë uljen e tensioneve dhe rikthimin e palëve në tryezën e negociatave, raporton theGuardian.
Sipas diplomatëve të Azisë Juglindore, vendet anëtare të ASEAN-it do të miratojnë një deklaratë të përbashkët ku shprehin shqetësim për përshkallëzimin e konfliktit dhe paralajmërojnë për pasojat globale të tij.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet Ngushtica e Hormuzit, rruga strategjike detare nga ku, para nisjes së luftës, kalonte rreth 20% e furnizimit botëror me naftë.
Irani ka paralajmëruar se nuk do të lejojë kalimin e "asnjë pike" nafte apo gazi përmes kësaj ngushtice, duke rritur frikën për një krizë energjetike globale.
Rajoni i Azisë Juglindore, me mbi 680 milionë banorë, mbështetet në masë të madhe te nafta dhe gazi i Lindjes së Mesme, ndaj një ndërprerje e furnizimeve do të kishte pasoja të rënda ekonomike.
Ndërkohë, lufta ka ngritur shqetësime edhe për angazhimin e SHBA-së në rajonin Azi-Paqësor, pasi përqendrimi i forcave amerikane në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në menaxhimin e sfidave të sigurisë në Detin e Kinës Jugore dhe rreth Tajvanit.
Në takimin e ASEAN-it marrin pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, homologu rus Sergey Lavrov, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, SHBA ka kryer natën e nëntë radhazi të sulmeve ndaj objektivave iraniane. Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në Tabriz, Chabahar, Konarak, Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini, pa dhënë ende të dhëna për viktima apo dëme.
Sulmi ndaj Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, sinjalizon zgjerimin e objektivave amerikane, pasi deri tani bombardimet ishin përqendruar kryesisht në jug të vendit dhe zonën pranë Ngushticës së Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po përballen me sulme nga dronë iranianë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë.
Deklarata erdhi pasi Garda Revolucionare Iraniane pretendoi se kishte goditur objektiva ushtarake amerikane në territorin kuvajtian.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Irani po përdor Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të marrin një rol më aktiv në garantimin e sigurisë së transportit detar në këtë korridor jetik për ekonominë botërore.



