Një zhvillim i rëndësishëm ka tronditur skenën politike europiane, pasi autoritetet belge kanë lëshuar një urdhër arresti europian ndaj ish-komisionerit të Bashkimit Europian dhe ish-ministrit grek, Dimitris Avramopoulos.
Sipas raportimeve të mediave belge dhe greke, një gjyqtar në Belgjikë ka firmosur urdhrin e arrestit në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim.
Hetimi lidhet me dyshimet se Katari dhe Maroku kanë tentuar të ndikojnë në proceset vendimmarrëse të Parlamentit Europian përmes pagesave dhe dhuratave të destinuara për eurodeputetë aktualë dhe ish-anëtarë të këtij institucioni. Të dyja shtetet kanë hedhur poshtë akuzat për përfshirje në veprime të paligjshme.
Autoritetet belge kanë nisur procedurat për heqjen e imunitetit të Avramopoulos, me qëllim që ai të mund të merret në pyetje në kuadër të këtij hetimi.
Avramopoulos, i cili ka shërbyer si Komisioner për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë nga viti 2014 deri në vitin 2019, është një nga figurat më të njohura të politikës greke dhe europiane.
Ai ka mbajtur më parë poste të rëndësishme, përfshirë atë të ministrit të Jashtëm dhe ministrit të Mbrojtjes në Greqi.
Deri më tani, autoritetet belge nuk kanë bërë publike detaje shtesë lidhur me natyrën e hetimit apo akuzat konkrete që lidhen me ish-komisionerin. Ndërkohë, pritet që zhvillimet e ardhshme të hedhin më shumë dritë mbi çështjen dhe implikimet e saj ligjore.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve evropiane, duke qenë se përfshin një ish-zyrtar të lartë të Bashkimit Europian. Autoritetet greke dhe ato belge pritet të bashkëpunojnë në kuadër të mekanizmave të urdhrit europian të arrestit për trajtimin e çështjes.



