Irani sinjalizon se po tërhiqet nga përpjekjet për uljen e tensioneve me vendet fqinje në Lindjen e Mesme, duke ia atribuuar këtë zhvillim Presidentit amerikan Donald Trump. Deklarata u bë të shtunën nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Sipas tij, përpjekjet e Teheranit për të ulur tensionet në rajon u dëmtuan nga mënyra se si u interpretuan qëndrimet dhe aftësitë e Iranit nga administrata amerikane.
“Hapja e Teheranit ndaj uljes së tensioneve brenda rajonit tonë, me kusht që hapësira ajrore, territori dhe ujërat e fqinjëve tanë të mos përdoren për të sulmuar popullin iranian, u shkatërrua pothuajse menjëherë nga keqinterpretimi i aftësive, vendosmërisë dhe qëllimit tonë nga Presidenti Trump”, tha të shtunën në një deklaratë Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo përpjekje për përshkallëzim do të përballet me reagim të fortë nga ana e Iranit.
Nëse zoti Trump kërkon përshkallëzim, kjo është pikërisht ajo për të cilën Forcat tona të Armatosura të fuqishme janë përgatitur prej kohësh dhe ajo që ai do të marrë.
Deklaratat e Araghchi erdhën vetëm disa orë pasi presidenti iranian Masoud Pezeshkian kërkoi falje për sulmet ndaj disa vendeve fqinje në Lindjen e Mesme.
Në një mesazh të regjistruar paraprakisht, ai tha se Irani do të ndalonte goditjet ndaj shteteve që nuk po ndihmojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në operacionet kundër Teheranit.
Megjithatë, Pezeshkian theksoi se vendi i tij nuk do të pranonte një dorëzim pa kushte ndaj SHBA-së, duke e cilësuar një ide të tillë si të pamundur.
Ai e përshkroi këtë skenar si “një ëndërr që duhet ta marrin me vete në varr”.
Pas kësaj deklarate, Trump reagoi ashpër në platformën Truth Social, ku kritikoi udhëheqjen iraniane për atë që e quajti “sjelljen e saj të keqe” dhe paralajmëroi se Irani do të goditet shumë rëndë.
Araghchi e fajësoi drejtpërdrejt Trump për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, duke theksuar se përgjegjësia për çdo përplasje të re do të bjerë mbi administratën amerikane.
Përgjegjësia për çdo intensifikim të ushtrimit të vetëmbrojtjes nga Irani do të bjerë drejtpërdrejt mbi administratën amerikane.



