Ukraina ka vijuar një valë intensive sulmesh me dronë me rreze të gjatë ndaj territorit rus, duke shkaktuar zjarr në një rafineri të madhe nafte në jug të vendit dhe duke lënë të paktën dy viktima, sipas autoriteteve ruse të dielën. Presidenti rus Vladimir Putin pranoi se Rusia po përballet me një “periudhë të vështirë”.
Në muajt e fundit, Ukraina ka rritur ndjeshëm goditjet ndaj infrastrukturës ushtarake dhe energjetike të Rusisë, me synimin për të ulur të ardhurat që mbështesin luftën dhe për të ushtruar presion mbi Moskën, në një konflikt që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet kanë dëmtuar dy rafineri ruse, duke i cilësuar ato si pjesë të “sanksioneve afatgjata” që synojnë industrinë e naftës. Sipas tij, çdo goditje redukton burimet që financojnë makinerinë ushtarake ruse.
Autoritetet në rajonin e Krasnodarit raportuan se mbeturinat e dronëve të rrëzuar shkaktuan zjarr në rafinerinë e Slavyansk-na-Kubani, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur. Po ashtu, u raportua për ndërprerje dhe mbyllje të përkohshme të aeroporteve dhe rrugëve në disa rajone ruse për shkak të sulmeve me dronë.
Zelensky pretendoi gjithashtu se një tjetër rafineri në rajonin e Yaroslavlit u godit gjatë natës, megjithëse autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë incident.



