Kompozitori amerikan Billy Steinberg, fitues i çmimit Grammy dhe autor i disa prej hiteve më të mëdha të muzikës pop, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare në Los Angeles, pas një beteje me kancerin, konfirmoi familja e tij.
Steinberg ishte figura kyçe pas këngës ikonike “Like a Virgin” të Madonna, e cila në vitin 1984 arriti vendin e parë në Billboard Hot 100 dhe u bë kënga titullare e albumit të saj të dytë.
Gjatë një karriere katërdekadëshe, ai bashkëpunoi me emra të mëdhenj të muzikës si Whitney Houston, Celine Dion, Roy Orbison, Demi Lovato dhe grupin The Bangles.
I lindur si William Steinberg, ai nisi bashkëpunimin me kompozitorin Tom Kelly në fillim të viteve 1980, duke krijuar një sërë këngësh që kryesuan top-listat, përfshirë “True Colors” për Cyndi Lauper dhe “So Emotional” për Whitney Houston. Në vitin 1996 fitoi një Grammy për kontributin në albumin “Falling Into You” të Celine Dion.
Në vitin 2011, Steinberg u pranua në Songwriters Hall of Fame, e cila e vlerësoi si një nga këngëshkruesit më të suksesshëm të epokës së tij. Ai la pas bashkëshorten Trina, dy djem dhe dy fëmijë të adoptuar.



