Dy tërmete të fuqishme godasin Venezuelën, të paktën 32 viktima dhe mbi 700 të plagosur

Dy tërmete të fuqishme godasin Venezuelën, të paktën 32 viktima dhe mbi 700 të plagosur

Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme mbrëmjen e së mërkurës, të cilat kanë shkaktuar të paktën 32 viktima dhe mbi 700 të plagosur, sipas autoriteteve të vendit. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në zonat e prekura, ndërsa ekziston frika se bilanci i viktimave mund të rritet në orët dhe ditët në vijim.

 

Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në nivel kombëtar, duke theksuar se dëmet janë të konsiderueshme në disa shtete të vendit. Ajo e cilësoi shtetin bregdetar të La Guaira si zonën më të goditur, duke e përshkruar atë si një “zonë katastrofe”.

 

“Dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe operacionet intensive të kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat”, deklaroi Rodríguez.

 

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti i parë me magnitudë 7.2 ballë goditi pak pas orës 18:00 me epiqendër pranë qytetit Morón, rreth 168 kilometra në perëndim të Karakasit, në një thellësi prej 22 kilometrash. 

 

Vetëm një minutë më vonë, rajoni u trondit nga një tërmet edhe më i fuqishëm me magnitudë 7.5 ballë, me epiqendër 16 kilometra në jugperëndim të Morón dhe në një thellësi prej 10 kilometrash.

 

Lëkundjet u ndjenë në të gjithë territorin venezuelian dhe madje deri në Amazonën braziliane, rreth 1.700 kilometra larg kryeqytetit Karakas. Autoritetet raportuan evakuime masive në qytete të ndryshme, ndërsa shumë ndërtesa pësuan dëmtime të rënda ose u shembën plotësisht.

 

Tërmetet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të rëndësishme në infrastrukturë. Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar pranë Karakasit u mbyll për shkak të dëmtimeve, ndërsa shërbimet e metrosë dhe furnizimi me gaz natyror në kryeqytet u pezulluan për arsye sigurie.

Qeveria njoftoi se procesi mësimor do të pezullohet për disa ditë. Një pjesë e shkollave do të shndërrohen në strehimore të përkohshme dhe qendra për grumbullimin e ndihmave për të prekurit.

 

Në shtetin Falcon, autoritetet lokale raportuan dhjetëra të lënduar dhe persona të bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet në terren.

 

Këto konsiderohen ndër tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy