Të paktën 235 persona kanë humbur jetën dhe mbi 4,300 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën pranë kryeqytetit Karakas. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura, ndërsa shumë persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti i parë ishte me magnitudë 7.2, ndërsa pak sekonda më vonë u regjistrua një tjetër me magnitudë 7.5. Të dy lëkundjet ishin të cekëta, çka shtoi ndjeshëm shkallën e dëmeve.
Autoritetet venezueliane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa raportojnë se qindra ndërtesa janë dëmtuar ose janë shembur plotësisht, veçanërisht në Karakas dhe qytetin bregdetar La Guaira. Aeroporti ndërkombëtar i Maiquetías është mbyllur për shkak të dëmtimeve serioze.
Lëkundjet pasuese kanë vazhduar edhe pas tërmeteve kryesore, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet. Ndërkohë, disa shtete, mes tyre SHBA, Meksika, Katari, El Salvadori dhe Republika Dominikane, kanë ofruar ndihmë humanitare dhe ekipe të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së vlerëson se dëmet mund të jenë shumë të mëdha për shkak të magnitudës së tërmeteve, thellësisë së vogël të tyre dhe dendësisë së popullsisë në zonat e prekura.



