Pamjet e fundit të Mbretit Mohammed VI të Marokut në rrugët e Parisit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes gjendjen e tij shëndetësore dhe kanë nxitur polemika në mediat sociale.
Debati vjen pas raportimeve të mediave, sipas të cilave monarku 59-vjeçar udhëtoi në Francë për ekzaminime mjekësore dhe trajtim të problemeve me zemrën, ndërsa autoritetet marokene e përshkruan vizitën si private.
Interesi për shëndetin e mbretit ishte shtuar edhe më herët, pasi ai anuloi festimet e Ditës së Fronit dhe aktivitetet zyrtare të 30 korrikut. Mohammed VI i është nënshtruar më parë dy ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër.
Polemikat u intensifikuan pas publikimit të një videoje, ku disa media pretenduan se mbreti dukej nën ndikimin e alkoolit, ndërsa të tjera sugjeruan se sjellja e tij mund të lidhej me efektet e medikamenteve ose me problemet shëndetësore.
Kritikat u shoqëruan edhe me komente për praninë pranë tij të vëllezërve Azaitar, të cilët prej kohësh janë objekt debatesh në Marok për ndikimin e tyre të supozuar mbi monarkun.
Nga ana tjetër, Sufyan Al-Bahri, administratori i llogarive të mbretit në rrjetet sociale, hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se Mohammed VI nuk ishte nën ndikimin e alkoolit.
Sipas tij, mbreti humbi për pak çaste ekuilibrin për shkak të një problemi në këmbë dhe objekti që mbante në dorë ishte një shishe me ujë, jo një gotë verë. Deri më tani, Pallati Mbretëror i Marokut nuk ka bërë një deklaratë zyrtare lidhur me polemikat e fundit.



