
SHBA-të mund të fillojnë “shumë shpejt” sulme tokësore të lidhura me operacionet anti-drogë në Venezuelë. Deklarata është bërë nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, i cili pretendon se ka ndaluar thuajse tërësisht fluksin e narkotikëve nga deti. Venezuela ka mohuar me forcë të ketë ndonjë lidhje me kartelet e drogës.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump pretendoi se trafiku detar i drogës i lidhur me Venezuelën kishte rënë me 92%, duke thënë se forcat amerikane po “eliminonin drogën në nivele që askush nuk i ka parë më parë”. “Ne eliminuam 96% të drogës që vinte nga uji”, shtoi ai, duke pohuar më vonë, “Do të fillojë në tokë shumë shpejt”.
Megjithatë, udhëheqësi amerikan nuk dha detaje mbi objektivat e mundshëm apo fushëveprimin e operacionit.
Që nga shtatori, forcat amerikane kanë rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe dhe Paqësorin lindor dhe kanë kryer më shumë se 20 sulme kundër anijeve të dyshuara për drogë, duke vrarë dhjetëra njerëz.
Trump ka argumentuar se operacionet kanë shpëtuar dhjetëra mijëra amerikanë duke ndaluar hyrjen e drogës në SHBA.
Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e Trumpit në lidhje me lidhjet e Karakasit me narkokartelet, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të rrëzojë qeverinë e tij nën maskën e një fushate kundër drogës.
Këtë javë, autoritetet amerikane sekuestruan gjithashtu anijen cisternë të naftës Skipper në brigjet e Venezuelës, një anije mallrash që dyshohet se transportonte naftë nga Venezuela dhe Irani. Zyrtarët në Karakas e dënuan sekuestrimin si "vjedhje flagrante" dhe "pirateri kriminale detare".
Ndërkohë, Rusia, e cila ka krijuar prej kohësh lidhje të ngushta me Venezuelën, e ka mbështetur publikisht Maduron këtë javë



