Ekonomitë kryesore botërore po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë alternativa energjetike përtej Lindjes së Mesme, pasi konflikti në Iran ka shtuar pasigurinë në tregjet globale të naftës.
Kështu vlerëson Karen Young, studiuese në Universitetin e Kolumbias, e cila tha për CNN se përparimet në teknologjitë e gjelbra tashmë kanë hyrë në një fazë të pakthyeshme.
Sipas saj, vendet po e vendosin sigurinë energjetike në qendër të strategjive të tyre, duke kërkuar diversifikim jo vetëm të furnizimit me naftë, por edhe të burimeve të tjera të energjisë.
Kjo prirje po nxit investime më të mëdha në energjinë e rinovueshme, automjetet elektrike dhe rishikimin e burimeve të përdorura për prodhimin e energjisë elektrike.
Young theksoi se shumë shtete po fokusohen në zhvillimin e burimeve të tyre energjetike për të shmangur varësinë nga një furnizues i vetëm. “Bëhet fjalë për të mos u mbështetur te një burim i vetëm, qoftë për naftën apo për çdo lloj tjetër karburanti energjetik”, u shpreh ajo.
Megjithëse çmimet e naftës kanë shënuar rënie dhe lëvizja e anijeve cisternë në Ngushticën e Hormuzit është stabilizuar pjesërisht, ekspertja paralajmëroi se tregjet mund të përballen ende me periudha paqëndrueshmërie, në varësi të zbatimit të armëpushimit.
Ajo kujtoi se marrëveshja fillestare mes SHBA-së dhe Iranit garantonte kalimin pa pagesë të anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit për 60 ditë.
Megjithatë, rikthimi i tarifave nga Irani pas skadimit të kësaj periudhe mund të dërgojë sinjale shqetësuese për tregtinë globale dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit.
Ndërkohë, vendet e Gjirit Persik pritet të shtojnë investimet në rrjete tubacionesh alternative, me qëllim shmangien e varësisë nga Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë.



