Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe hoqën sanksionet ndaj Presidentit sirian Ahmad al-Sharaa të premten, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri të njëjtën gjë përpara takimit të tij me Presidentin amerikan Donald Trump javën e ardhshme.
Uashingtoni dhe Londra hoqën sanksionet edhe ndaj ministrit të Brendshëm të Sirisë, Anas Khattab.
Dy politikanët e lartë sirianë kishin qenë subjekt i sanksioneve financiare kundër Shtetit Islamik dhe Al Kaedës, ku Shtetet e Bashkuara i cilësuan ata si terroristë globalë.
Uashingtoni i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh të lehtësojë sanksionet ndaj Sirisë. Trump njoftoi një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së në maj kur tha se do të hiqte sanksionet e SHBA-së mbi Sirinë.
Presidenti Trump do të takohet me Sharaa në Shtëpinë e Bardhë të hënën, vizita e parë e tillë nga një kryetar shteti sirian.
Donald Trump ka kërkuar marrëdhënie të mira me Sharaa-n. Në qershor ai hoqi shumicën e sanksioneve të SHBA-së kundër Sirisë dhe Trump u takua me udhëheqësin sirian kur ky i fundit vizitoi Arabinë Saudite majin e kaluar.
Që kur mori pushtetin nga Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar, Sharaa ka bërë një sërë udhëtimesh jashtë vendit, ndërsa qeveria e tij kalimtare kërkon të rivendosë lidhjet e Sirisë me fuqitë botërore që e kishin shmangur Damaskun gjatë sundimit të Assadit.
Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammad al-Julani, u bë President i Sirisë në janar, pasi forcat kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham rrëzuan Assadin në një ofensivë të shpejtë.
Sharaa, dikur një figurë e lartë në HTS dhe më parë e lidhur me al-Kaedën, u sanksionua nga SHBA-të në vitin 2013 dhe OKB-ja dhe Britania në vitin 2014, të cilat përfshinin një ndalim udhëtimi, ngrirje të aseteve dhe embargo armësh.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së i hoqi këto masa të enjten, duke përmendur mungesën e lidhjeve aktive midis HTS dhe al-Kaedës.



