Statuja e madhe prej bronzi e një luani me krahë, e vendosur sipër njërës prej dy kolonave prej graniti në sheshin Shën Markut në Venecia, e ka mbikëqyrur qytetin për shekuj me radhë.
Por shkencëtarët italianë kanë gjetur prova që sugjerojnë se statuja ikonike është bërë të paktën pjesërisht në Kinë dhe ndoshta ka përfunduar në Venecia nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, pasi është sjellë nga babai dhe xhaxhai i tregtarit dhe eksploruesit Marco Polo.
Në një studim i cili do të publikohet në revistën Antiquity, shkencëtarët nga Universiteti i Padovës zbuluan se pjesa e bakrit e përdorur për të derdhur luanin me krahë ishte minuar në pellgun e lumit Jance të Kinës.
Analiza e avancuar e izotopeve të plumbit në mostrat e luanit tregoi se bakri i përdorur në prodhimin e tij e kishte origjinën nga zona e poshtme e lumit Jance në Kinën juglindore.
“Izotopet e plumbit ofrojnë një mjet të besueshëm për të lidhur metalet me depozitat e tyre origjinale”, shkruan shkencëtarët.
Studimi sugjeron se luani ndan ngjashmëri me llojin e statujës që mund të ketë ruajtur një varr gjatë Perandorisë Tang, e cila sundoi Kinën nga viti 618 deri në vitin 907 pas Krishtit.
Shkencëtarët sugjerojnë se e gjithë statuja mund të jetë sjellë në Venecia pasi u takua nga Niccolo dhe Maffeo Polo gjatë vizitës së tyre në oborrin mongol në Khanbaliq, tani Pekin.
Pasi mbërriti në Venecia, ajo dyshohet se u modifikua për t’i ngjarë emblemës së Republikës, luanit me krahë të Shën Markut.
Një ekzaminim vizual i statujës tregoi se statuja dikur kishte brirë, që do të thotë se i ngjante më shumë një zhenmushou, një luani mbrojtës që largonte shpirtrat e këqij nga varret gjatë dinastisë Tang.
Besohet se brirët u hoqën më vonë dhe veshët u shkurtuan për ta përshtatur më shumë me luanin e Shën Markut.
Simboli është i kudondodhur në Venecia, duke u shfaqur në ndërtesa dhe monedha. Është gjithashtu emblema e çmimit kryesor të festivalit të filmit në Venecia, Luanit të Artë.
Megjithatë, pak dihet për historinë e statujës.
“Nuk e dimë kur skulptura mbërriti në Venecia, ku u ripërpunua, kush e bëri atë ose kur u ngrit në kolonën ku është ende e dukshme sot”, tha bashkautori i studimit, Massimo Vidale.
Shkencëtarët thanë se studimi i tyre tregoi shtrirjen gjeografike të Republikës Veneciane, një nga fuqitë e mëdha tregtare të Evropës mesjetare, dhe ndërlidhjen e botës së saj.
Studiuesit më parë kanë sugjeruar që skulptura vinte nga Mesopotamia, Iraku i sotëm, Persia e lashtë ose Greqia e lashtë.
“Venecia është një qytet plot mistere, por një është zgjidhur: Luani i Shën Markut është kinez dhe ai eci në Rrugën e Mëndafshit”, tha Vidale.



