Koreja e Veriut ka lëshuar këtë të diel një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt detit. Ky është incidenti më i fundit në serinë e testimeve të armatimeve nga Pheniani, i cili ka vënë sërish në alarm fqinjët e tij.
Sipas zyrës presidenciale të Koresë së Jugut, predha u lëshua nga zona bregdetare lindore e Wonsan-it. Ky veprim detyroi Seulin zyrtar të mbledhë në mënyrë urgjente Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën dhe për të vlerësuar mbrojtjen ajrore.
Ky provokim vjen në një kohë kur lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po injoron hapat diplomatikë të SHBA-së.
Së fundmi, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, uli ndjeshëm shkallën e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut në një përpjekje të hapur për të ringjallur dialogun me Phenianin.
Megjithatë, motra e fuqishme e liderit verikorean, Kim Yo Jong, e hodhi poshtë këtë lëvizje të Trump-it, duke deklaruar se zvogëlimi i stërvitjeve nuk ia ndryshon "natyrën agresive".
Vetëm javën e kaluar, Koreja e Veriut kreu një stërvitje masive me raketa, artileri dhe dronë sulmues, duke demonstruar një "fuqi të madhe shkatërruese".
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Pheniani po teston lloje të ndryshme armësh njëkohësisht për të gjetur mënyra sesi të mposhtë mbrojtjen ajrore të kombinuar të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjithashtu, përdorimi i dronëve të rinj me motor reaktiv që arrijnë deri në 600 km/h, po rrit shqetësimin në mbarë rajonin për një konflikt të mundshëm në shkallë të gjerë.



