Njëmbëdhjetë vende evropiane i kanë kërkuar Komisionit Evropian të ashpërsojë kushtet e hyrjes në Bashkimin Evropian për shtetasit rusë, veçanërisht për ata që udhëtojnë për qëllime turistike.
Sipas një letre drejtuar Brukselit, të siguruar nga AFP, nëntë shtete anëtare të BE-së, Suedia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Holanda dhe Polonia, së bashku me Norvegjinë dhe Islandën, kërkojnë miratimin e “masave të reja kufizuese dhe detyruese”.
Vendet nënshkruese e konsiderojnë “thellësisht shqetësues” faktin që një numër në rritje turistësh rusë po kalojnë pushime në Evropë, ndërsa Rusia vazhdon sulmet ndaj popullsisë civile në Ukrainë.
Sipas dokumentit, gjatë vitit të kaluar qytetarëve rusë iu janë lëshuar 477.878 viza, shumica prej tyre me hyrje të shumëfishta në zonën Schengen.
Përveç mesazhit politik, vendet nënshkruese argumentojnë se çështja lidhet edhe me sigurinë.
Ato paralajmërojnë se hyrja në territorin evropian mund të lehtësojë lëvizjen e ushtarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të forcojë identifikimin e ushtarakëve aktivë dhe veteranëve rusë, me qëllim ndalimin e hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian.



