Rebelët Huthi po mbajnë të burgosur 20 punonjës të Kombeve të Bashkuara në Sanaa, përfshirë përfaqësuesin e UNICEF-it në Jemen, shtetasin britanik Peter Hawkins.
Lajmin e bënë me dije zyrtarët e OKB-së.
Një ditë më parë, rebelët që kontrollojnë Sanaan bastisën një ndërtesë të OKB-së në Jemen ku banojnë punonjësit e organizatës ndërkombëtare.
Dhjetëra punonjës të OKB-së janë arrestuar në muajt e fundit në zonat e kontrolluara nga kryengritësit jemenas, të mbështetur nga Irani.
Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi i rebelëve Abdelmalek al-Houthi tha se forcat e tij kishin shkatërruar një nga qelizat më të rrezikshme të spiunazhit , të përshkruara si të lidhura me organizata humanitare si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF.



