Të paktën 82 persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në një minierë qymyri në Kinën veriore, raportuan mediat shtetërore kineze.
Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, aksidenti ndodhi në minierën e qymyrit Liushenyu, që administrohet nga Grupi Tongzhou në provincën Shanxi.
Shpërthimi i gazit ndodhi rreth orës 19:29 me orën lokale të së premtes (11:29 GMT), ndërsa në momentin e incidentit në minierë ndodheshin 247 punëtorë.
Autoritetet kineze kanë nisur menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat vijojnë ende në vendngjarje.
Shkaqet e shpërthimit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit, një nga më tragjikët në industrinë minerare kineze në vitet e fundit.



