Maroku ka vendosur t’i japë emrin e Donald Trump autostradës që të çon drejt Dakhlas, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Mbretit Mohammed VI përmes një postimi në platformën Truth Social.
“Çfarë nderi i jashtëzakonshëm! Shpresoj që një ditë të kem mundësinë të përshkoj të gjithë gjatësinë e kësaj autostrade madhështore, dhe shpresoj shumë shpejt”, shkroi presidenti i SHBA-së.
Postimi u shoqërua me një video që paraqet përmasat e projektit, objektivat e tij dhe karakteristikat teknike të infrastrukturës.
Autostrada, me një gjatësi prej 1055 kilometrash, konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Marok.
Investimi për realizimin e saj vlerësohet mes 9 dhe 10 miliardë dirhemëve, ose rreth 1 miliard euro.
Projekti është planifikuar të vihet në funksion në mënyrë graduale, ndërsa segmenti i fundit parashikohet të përfundojë në janar 2025.
Autostrada lidh qytetin e Tiznitit me Dakhla-n, duke kaluar përmes Guelmim dhe Laayoune, e më pas hyn në territorin e Saharasë Perëndimore.
Në fund të mandatit të tij të parë presidencial, Donald Trump ishte lideri i parë amerikan që njohu këtë territor si pjesë të sovranitetit të Marokut.



