Pesë shtete të Bashkimit Evropian, Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda pritet të shpallin të hënën në Vjenë një marrëveshje për ngritjen e një "qendre kthimi" për emigrantët në Ruandë.
Sipas burimeve diplomatike, projekti do të nisë si fazë pilot në vitin 2027 dhe do të strehojë rreth 100 persona rreth 20 emigrantë nga secili shtet. Ndryshe nga plani i dështuar britanik i vitit 2024, kjo skemë do të zbatohet vetëm për azilkërkuesit që i kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në BE.
Marrëveshja mbështetet në një reformë të fundit të BE-së që lejon qendrat e deportimit jashtë bllokut, me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) që pritet të luajë rol ndihmës.
Organizata Human Rights Watch e ka cilësuar zgjedhjen e Ruandës si shqetësuese për shkak të abuzimeve me të drejtat e njeriut dhe shtypjes së disidentëve në këtë vend. Edhe Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore ka kërkuar garanci dhe përjashtimin e fëmijëve të pashoqëruar.
Lëvizja vjen nën presionin politik për frenimin e imigracionit, ndonëse të dhënat e BE-së tregojnë se kalimet e parregullta kufitare në 10 muajt e parë të vitit 2026 kanë rënë me 29% (rreth 110,000 raste).
