Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, ka akuzuar Bashkimin Europian për bashkëpunim në sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike.
“Indiferenca dhe pranimi i heshtur i Bashkimit Europian ndaj agresionit, dhunës dhe mizorive të SHBA-së dhe Izraelit përbën bashkëpunim”, shkroi Ismail Baghai në një postim në X.
Sipas zëdhënësit iranian, mungesa e një reagimi të fortë dhe kritik nga BE-ja ndaj veprimeve të aleatëve të saj perëndimorë, tregon një standard të dyfishtë në qëndrimin e bllokut europian ndaj konflikteve dhe tensioneve ndërkombëtare.
Deklarata e Baghait vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa Irani ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në dhe Izraelin për veprime armiqësore dhe destabilizuese.
Nga ana tjetër, zyrtarët perëndimorë shpesh kanë shprehur shqetësime për aktivitetet ushtarake dhe programin bërthamor të Iranit, duke e konsideruar atë një kërcënim për sigurinë rajonale.



